Rritja e efikasitetit dhe transparencës së sistemit të prokurimit publik është një shqetësim i vazhdueshëm i shoqërisë kosovare dhe komunitetit ndërkombëtar në Kosovë. Për këtë qëllim, në vazhdimësi në Kosovë janë zbatuar projekte të ndryshme të cilat kanë pasur për qëllim përmirësimin e legjislacionit dhe praktikave për prokurim publik. Përkundër kësaj, prokurimi publik në Kosovë mbetet si një sektor me shumë dyshime për korrupsion, mos efikasitet dhe kualitet të dobët të shërbimeve për qytetarët.Demokraci Plus në kuadër të bashkëpunimit me Projektin e USAID për Komuna Transparente, Efikase dhe Llogaridhënëse (TEAM), ka ndërmarrë iniciativën e monitorimit të pesë komunave, duke përfshirë Prishtinën, Gjilanin, Pejën, Gjakovën dhe Vushtrrinë. Ky monitorim është i fokusuar në dy komponentë kryesore: •Monitorimin e aktiviteteve të prokurimit me qëllim të ekspozimit të shkeljeve të ligjit, humbjeve dhe dyshimeve për korrupsion, dhe;•Identifikimin e praktikave të mira dhe promovimin e tyre për të ndarë përvojat e mira në menaxhimin e prokurimeve publike. Për këtë qëllim D+ që nga shtatori 2017 e deri më tash, ka bërë një vlerësim bazë të këtyre komunave, një raport të matjes së praktikave të mira dhe tani publikon raportin e tretë, i cili ka të bëjë identifikim e shkeljeve në prokurim publik me të dhëna nga monitorimi i drejtëpërdrejtë. Ky monitorim është realizuar duke u bazuar në metodologjinë e adaptuar nga D+ e cila ka përfshirë monitorime direkte të vlerësimit të ofertave, monitorim të dokumenteve të tenderëve dhe monitorim të zbatimit të kontratave përmes observimit të punëve në terren dhe kontrollit të dokumenteve mbi realizimin e kontratave. Të gjeturat e monitorimit paraprakisht janë ndarë me komunat përkatëse, për të ofruar komentet e tyre, si mjet i validimit të të dhënave. Në disa nga të gjeturat e raportit D+ dhe komuna nuk kanë arritur të ndajnë një gjykim të përbashkët, dhe për këtë arsye janë prezantuar edhe të gjeturat e monitorimit edhe komentet e komunave.