Pyetjet e shpeshta
Çka është prokurimi publik?
Prokurimi publik ka të bëjë me mënyrën se si autoritetet publike (institucionet) shpenzojnë paranë publike, kur blejnë mallra, punë ose shërbime në treg. E rëndësishme për këtë fushë është se paratë e tatimpaguesëve të shpenzohen në mënyrë efektive duke sjellë përfitime më të mira për qytetarin. Gjatë jetëgjatësisë së një aktiviteti, procesi i prokurimit publik kalon në tetë hapa esenciale:
- HAPI 1 – Planifikimi i Prokurimit
- HAPI 2 – Parashikimi i Vlerës dhe Klasifikimi i Kontratës
- HAPI 3 – Përcaktimi i Procedurës së Prokurimit
- HAPI 4 – Përgatitja e Dosjes së Tenderit
- HAPI 5 – Publikimi
- HAPI 6 – Hapja dhe Vlerësimi i Tenderëve
- HAPI 7 – Dhënia dhe Nënshkrimi i Kontratës
- HAPI 8 – Menaxhimi i Kontratës.
Legjislacioni që rregullon prokurimin publik në Kosovë?
Parimet e shpenzimeve publike janë të rregulluara më nenin 120 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ndërsa detyrimet për të mbrojtur këto parime janë të rregulluara përmes:
- Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës nr. 04/L-042 i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-237, Ligjin Nr. 05/L-068 dhe Ligjin Nr. 05/L-092, dhe
- Aktet dytësore.
Cilat janë institucionet kyçe në prokurimin publik, dhe cili është roli i tyre?
I. Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP)
Roli: Harton, ligjin, rregullat dhe udhëzimet e Prokurimit Publik, jep këshilla, informacione dhe opinione rreth dispozitave ligjore, monitoron procesin e prokurimit publik në Republikën e Kosovës.
Adresa: Ndërtesa e ish-Gërmisë, zona B, 10000 Prishtinë
Tel: + 383 (0) 38 213 709
e-mail: rregullat.krpp@rks-gov.net
Ueb faqja: https://e-prokurimi.rks-gov.net/HOME/ClanakItemNew.aspx
www.krpp.rks-gov.net
II. Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP)
Roli: Organi Shqyrtues i Prokurimit është përgjegjëse për kryerjen e funksioneve që i janë caktuar sipas ligjit për Prokurim publik në Kosovë (trajtimi i ankesave lidhur me kriteret e Dosjeve të Tenderit, apo vlerësimin e ofertave, dhe shkeljeve tjera ligjore për çdo tender të shpallur), si dhe shkeljet ligjore në dhënien e koncesioneve.
Adresa: Rr. “MIGJENI” (ish-Banka e Lublanës, Kati V-të), Prishtinë, Kosovë
Tel: + 383 38 212 309
e-mail: oshp@rks-gov.net
Ueb faqja: https://oshp.rks-gov.net/sq/Default/Home
III. AGJENCIA KUNDËR KORRUPSIONIT (AKK)
Roli: Trajton dyshimet për korrupsion dhe konflikt të interesit në proceset publike
Telefoni: +383 (0) 38 518-907; +383 (200) 10-716
Email: info@akk-ks.org
Ueb faqja: https://www.akk-ks.org
IV. AUTORITETI KOSOVAR I KONKURRENCËS (AKK)
Roli: Trajton dyshimet për shkeljen e parimeve të trajtimit të barabartë, favorizimit apo dëmtimit të konkurrencës:
Adresa: Rr. Migjeni kati VI, (ish-Banka e Lublanës), Prishtinë, Kosovë
Tel: +381 (0) 38 200 10982
Email: info.konkurrenca@rks-gov.net
Ueb faqja: https://ak.rks-gov.net
V. AGJENCIA QENDRORE E PROKURIMIT (AQP)
Roli: Zhvillon procedurat e përbashkëta për prokurimet e të njëjtës natyrë (p.sh. furnizimi me derivate, materiale shpenzuese, ushqime, teknologji informative, etj) për të gjitha autoritetet kontraktuese:
Adresa: Sheshi Nëna Terezë, Ndërtesa e Gërmis – Zona A Kati IV, Prishtinë, Kosovë
Tel: +383 (0) 38-200-15502; +383 (0) 38-200-15503
Email: infoaqp@rks-gov.net
Ueb faqja: https://aqp.rks-gov.net/kontakti/
Si mund të sigurohen dokumentet e një tenderi/kontrate?
- Dosja e Tenderit dhe vendimet e autoriteteve kontraktuese mund të sigurohen në platformën elektronike të prokurimit publik e-Prokurimi (https://e-prokurimi.rks-gov.net/HOME/ClanakItemNew.aspx?id=327) nën “Njoftimet – Prokurimet”. Për t’ju qasur këtyre informatave, duhet që të regjistrohemi në platformë. Udhëzimet se si të regjistrohemi i gjejmë në faqen e hyrjes, nën pullën “MANUALET) të kësaj platforme (https://e-prokurimi.rks-gov.net/Home/ClanakItemNew.aspx?id=378). Ndërsa nën pullën “TRAJNIMET” mund të gjinden materialet trajnuese të hartuara nga KRPP dhe IKAP për procesin e prokurimit (https://e-prokurimi.rks-gov.net/Home/ClanakItemNew.aspx?id=277).
- Ankesat e operatorëve ekonomik, dhe vendimet e OSHP-së lidhur me këto ankesa mund të sigurohen në platformën e OSHPsë, nën pullën e “ANKESAVE” (https://oshp.rks-gov.net/sq/ProcurementActivities/Search). Megjithatë, këtu janë vetëm ankesat dhe vendimet nga dhjetor 2019, kur OSHP kishte lansuar faqen e re. Shënimet e më hershme mund të gjinden tek pulla “ARKIVA” në po të njëjtën platformë (https://oshp.rks-gov.net/sq/Pages/Details?id=79)
- Ndërsa opinionet e Agjencisë së kundër korrupsionit mund të gjinden në platformën (https://www.akk-ks.org/)
- Dokumentet e kontratave publike mund të gjinden edhe në ueb faqet e komunave nën modulin e prokurimit të secilës komunë. https://kk.rks-gov.net/#lista
- Për më shumë, ligjet për buxhetin, të cilat përcaktojnë natyrën dhe limitet e shpenzimeve publike mund të gjinden në ueb faqen e Ministrisë së Financave nën Raporte dhe Publikime (https://mf.rks-gov.net/page.aspx?id=1,121) ndërsa në platformën e transparencës të po së njëjtës ministri mund të gjejmë raportet tre mujore dhe vjetore të shpenzimeve institucionale (https://ptmf.rks-gov.net/page.aspx?id=1,1)
- Platforma e shoqërisë civile (FOL) ofron një qasje të shpejtë në përmbledhjen e prokurimeve si cili institucion çfarë kontratash ka dhënë, sa ishte vlera e tyre, dhe cilat kompani po fitojnë më së shumti (https://www.prokurimihapur.org/). Megjithatë, meqë kjo platformë merr shënimet drejt për së drejti nga platforma e-prokurimi, nëse në platformë në një tender mundojnë informata specifike, ajo nuk do të transmetohet në prokurimi i hapur.
- Një platformë e mirë për të analizuar se kush janë pronarët e kompanive që po fitojnë më së shumti tenderë publik është edhe platforma e shoqërisë civile (OpenDataKosovo – ODK) http://biznesetehapura.com/sq , e cila ushqehet me të dhëna nga Agjencia e regjistrimit të bizneseve në Kosovë – ARBK (https://arbk.rks-gov.net/)
Cilët janë flamujt e kuq, të cilët ngritin dyshime për korrupsion apo keq-menaxhim, në prokurim publik?
Disa nga indikatorët e keqpërdorimeve dhe keq-menaxhimeve në prokurim publik janë si në vijim:
- Përshtatja e specifikimeve teknike për Operatorë Ekonomikë të caktuar;
- Informata shtesë për Operatorë Ekonomikë të caktuar;
- Diskualifikimi i Operatorëve Ekonomikë potencial përmes kritereve të pa përshkruara;
- Bashkëpunimi për të rregulluar çmimin e ofertës;
- Furnizuesi mund të ofrojë mallrat apo shërbimet që nuk janë të ngjashme më ato në ofertë;
- Zhvillimi i trysnisë mbi komisionin e vlerësimit
- Konflikti i interesit
- Pranimi artikujve ose shërbimeve në mospajtim me dispozitat e kontratës apo dorëzimi i sasisë më të vogël së sa është porositur
- Porositja e artikujve ose shërbimeve për nevojat private të zyrtarëve dhe pagesa e tyre nga buxheti publik
- Themelimi i kompanive private në emër të shokëve apo të afërmve dhe dhënia e kontratës për këta të njëjtit, etj.
Cilat janë pasojat e korrupsionit dhe keq-menaxhimeve në prokurimin publik?
Rreth 40% e buxhetit të Kosovës shpenzohet çdo vit përmes prokurimit publik. Keqpërdorimet e këtyre shpenzimeve rezultojnë negativisht në zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarit të Kosovës. Disa nga ndikimet negative janë si në vijim:
- Shpenzimi i parasë publike në projekte nga të cilat përfitojnë zyrtarët publik e jo shoqëria;
- Më pak sport dhe kulturë (ekspozita, teatër, filma, etj.);
- Më pak zhvillim, treg të lirë dhe konkurrencë të drejtë, vende të reja të punës ;
- Shërbime dhe investime të dobëta të cilat duhet ti ri paguajmë.