Grupi Monitorues ka bërë monitorim indirekt të tenderit – “Qendra e Riciklimit Industrial për Mbeturinat Paraprakisht të Klasifikuara ose të Përziera” e cila duhet ta ketë kapacitetin e përpunimit për mbeturinat paraprakisht të klasifikuara ose të përziera prej 20.000 ton/në vit”1.
Ky tender është iniciuar nga Komuna e Mitrovicës në pjesën e parë të vitit 2018. Procedurat e prokurimit ishin përmbyllur, ndërsa kontrata është nënshkruar në shtator të vitit 2018 me konzorciumin “Alfa I & RECY technologies”, në vlerë prej 3,395,070 euro.
Grupi Monitorues ka gjetur disa shkelje ligjore, që sado që duken të vogla dhe procedurale, kanë ndikuar që të kufizohet konkurrenca për këtë tender dhe në fund të shpërblehet me kontratë operatori i vetëm që ka qenë në garë.
Tenderi është iniciuar nga Komuna e Mitrovicës me datën 14 Maj 2018, me publikimin e ‘njoftimit për kontratë’ në faqen e prokurimit elektronik të KRPP-së, kurse dorëzimi i ofertave ishte caktuar të bëhej me 20 qershor 2018. Vendosja e afatit për dorëzim të tenderëve është bërë në kundërshtim me Nenin 44, pika 2.1.1 të Ligjit të Prokurimit, I cili përcakton se për kontratat e mëdha afati i dorëzimit të ofertave duhet të jetë minimum 40 ditë nga data e publikimit të njoftimit për kontratë.
Komuna e Mitrovicës në ndërkohë kishte bërë korrigjim të gabimeve, mirëpo nuk I kishte zgjatur afatet siç kërkohen në Ligjin e Prokurimit dhe kështu ia ka pamundësuar operatorit “TEHNIX” doo – Kroaci dhe “TEHNIX” doo — Maqedoni që të ankohet. Për më tepër, lëshimet e bëra nga Komuna e Mitrovicës nuk janë evidentuar as nga Organi Shqyrtues i Prokurimit që e ka pasur këtë lëndë në shqyrtim.
Njëra prej çështjeve të kontestuara në këtë tender është një gabim i lëshuar nga Komuna e Mitrovicës në “Njoftimin për Kontratë” në versionin në gjuhën angleze. Komuna e Mitrovicës ka lëshuar një gabim me rastin e hartimit dhe bashkëngjitjes në e-prokurim tek pjesa e përshkrimit të çmimeve në gjuhen angleze, në tabelën e Excel nuk janë kalkuluar fare shpenzimet e doganës në vlerë prej 8%, e kjo ka bërë që operatorët që kanë aplikuar duke u bazuar në dosjen në gjuhen angleze të ofertojnë gabimisht, pra pa i kalkuluar shpenzimet doganore.
Grupi ka gjetur se janë bërë edhe dy lëshime nga Komuna e Mitrovicës. Komuna ka pranuar ofertë në gjuhën italiane, në kundërshtim me kërkesat e Ligjit të Prokurimit për të pranuar vetëm oferta në gjuhët zyrtare në Kosovë.
Përkundër që kriter për dhënie të kontratës ishte caktuar “Çmimi ekonomikisht më I favorshëm”, që nuk e merr për bazë vetëm çmimin, grupi vlerëson se nënkriteret nuk ishin të matshme dhe relevante për këtë projekt.